Një person është mbajtur peng për katër ditë nga dy persona, duke u liruar pa lëndime nga policia.
Sipas burimeve zyrtare është vënë në pranga një 24-vjeçar nga Fushë-Kruja dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.
E. XH. dhe B.Xh kanë marrë peng B.Z., për motive përfitimi financiar. Megjithatë, policia nuk jep detaje se kush është identiteti i personit të marrë peng.
NJOFTIMI I POLICISE
Operacion i koduar “Plugu”
Operacioni për lirimin e një shtetasi që mbahej peng prej disa ditësh nga 2 persona, për motive përfitimi material.
Operacioni është organizuar dhe ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Njësia për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Departamentin e Policisë Kriminale.
Operacioni është finalizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.
Nga Njësia për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në Drejtorinë Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas perdorimit të metodave speciale te hetimit, u finalizua operacioni policor “Plugu”.
Si rezultat u bë i mundur arrestimi i shtetasit E. M.,24 vjeç, banues në Nikel, Fushë Krujë, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, B. XH.
Të dy këta shtetas prej 4 ditësh kanë mbajtur peng në zonën e Fushë Krujës për motive përfitimi material, shtetasin B. Z., i cili u lirua pa pasoja gjatë operacionit policor.
Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të shpallur në kërkim.
Materialet në ngarkim të autorëve, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
