Sapo u bë pjesë e Top Channel, Kelvi Kadilli gjeti një terren që i shkonte shumë për shtat me natyrën dhe mënyrën e të bërit televizion, dhe me Pop Culture së bashku me Dojna Memën formuan një dyshe të pazakontë për ekranet shqiptare. Programi i të rinjve, që nisi transmetimin çdo ditë e këtë sezon çdo të shtunë, nga sezoni i ri mund të vijojë transmetimin, por jo më me Kelvi Kadillin.
Kadilli ishte i ftuar pasditen e sotme në emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus, së bashku me Arjola Shehun, për të rrëfyer më shumë për miqësinë e tyre.
Dy moderatorët zbuluan edhe për projektet e reja që do t’i konkretizojnë së shpejti, por ajo që nuk pritej ishte deklarata e Kelvit se, që nga shtatori, ai nuk do të jetë më pjesë e Pop Culture.
“Pop Culture nuk do e bëj më, kjo është e sigurt. Nuk do e bëj më, sepse mendoj që çdo gjë ka fazën e vet. Nga shtatori, do bëj diçka tjetër që nuk mund ta them dot, por do ketë supriza shumë”, – tha moderatori pa dhënë më shumë detaje.
Por a do të largohet vetëm nga Pop Culture apo edhe nga Top Channel? As kjo nuk mund të thuhet tani.