Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pandemia e koronavirusit në Kosovë duhet të mbahet si gjendje e jo të kthehet në krizë.
Ai tutje ka shtuar se duhet të merret mësim nga vendet tjera, që në Kosovë të mos ketë një gjendje të tillë.
“Ne kemi kaluar shumë kriza si popull, por kjo është një krizë me të cilën nuk jemi përballur ndonjëherë. Ne duhet ta mbajmë si gjendje dhe të mos lejojmë të kthehet në krizë të pakthyeshme. Ne shpresojmë që gjendja të mos na paraqitet e rëndë në ditët dhe javët në vijim, por siç kemi parë në vendet e zhvilluara, lakorja e përhapjes së virusit po zgjerohet dhe ne duhet ta frenojmë”, ka thënë ai, raporton KOHA.
Kurti ka thënë se nuk duhet të ndihemi të vetëkënaqur pse kemi shifra më të ulëta të të prekurve nga pandemia.
“Jemi para shirave të mëdha të përhapjes së koronavirusit në Evropë dhe nuk duhet të ndjemi të vetëkënaqur që nuk jemi në një fazë të tillë në Kosovë, sepse jemi vetëm në fazën e parë. Kujdesi nuk iu takon vetëm punonjësve të shëndetit publik dhe secili prej nesh duhet të kujdeset për vete dhe për të tjerët”, ka thënë ai.
Ai shton se duhet pasur kujdes më të madh sidomos për moshat e shtyra, për të cilët thotë se janë më të rrezikuar.
“Kurba e shpërndarjes së virusit është në dorën tonë. Në këtë kohë në veçanti duhet t’i mbrojmë pleqtë tanë. Meqenëse moshat më të shtyra janë shumë fish më në rrezik. Të rinjve mund t’iu duket se nuk janë të sëmurë mirëpo ata mund të jenë bartës që të përhapin sëmundjet tek anëtarët e tjerë të familjes”, ka thënë ai.