Louis Vuitton është një nga brendet më të njohura në botë, dhe ikonë e modës franceze. Këtë vit i ka besuar drejtimin artistik të linjës mashkullore, këngëtarit dhe producentit amerikan Pharrell Williams.
Posti i drejtorit artistik kishte mbetur bosh nga viti 2021, kur kishte humbur jetën stilisti Virgil Abloh, një personazh kyç i suksesit bashkëkohor të LV.
Nuk është një risi absolute për Williams, i cili ka bashkëpunuar me sukses me shtëpinë e modës franceze nga viti 2004, por edhe me emra të tjera si Moncler dhe Adidas, dhe që në 2005 revista e modës Esquire e ka cilësuar si njeriun që vishet më mirë në botë”. Williams mendohet se do të ketë debutin zyrtar gjatë javës së modës që do të mbahet në Paris në qershor.