Ditën e sotme, Parlamenti kaloi me 106 vota pro dhe 6 kundër ndryshimet kushtetuese përsa i përket reformës zgjedhore.
Për kreun e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vendimarrja i përket mazhorancës dhe opozita nuk ka më kredenciale duke qenë se janë vetëpërjashtuar nga Parlamenti.
Ai thotë se pavarësisht se opozita ndodhet jashtë, ata sërish janë ulur në tryezë dhe u janë marrë mendimet. Por Ndreu shprehet se PD ka propozuar një sistem zgjedhor që nuk e aplikon asnjë vend tjetër.
“Nuk kemi më se çfarë të diskutojmë. Reagimi i faktorit ndërkombëtar është i qartë, nuk kanë ndonjë lloj shqetësimi me lëvizjen e mazhorancës. Mazhoranca prandaj quhet e tillë dhe vendimarrja e përket asaj. Në Shqipëri, ti ke ikur nga Parlamenti nuk përfaqësohet askund dhe pastaj rënkon si fëmijë dhe thua dua të bëhet si them unë. Mazhoranca ka koston e vetë në vendimarrje e cila nëse përputhet me interesat e popullit, kjo shihet në zgjedhje dhe jo me dëshirat e opozitës. Opozita nuk ka më kredenciale se është vetëpërjashtuar nga sistemi, por mund të japë opinionet e veta. Ajo nuk është në parlament dhe prapë është ulur në tavolinë dhe i janë plotësuar disa prej kërkesave të veta. PD ka sajuar një sistem të vetin që nuk e aplikon askush. Nuk e thonë dot se këtë sistem që kanë propozuar e aplikon një filan shtet. Dhe mazhoranca këtë i ka kërkuar.”-tha Ndreu.