Të tjera detaje janë zbuluar pas ngjarjes së të hënës në fshatin Orosh ku dy persona të armatosur i bënë rezistencë policisë. Uniformat blu kanë gjetur brenda në shtëpinë ku ata strehoheshin armë zjarri dhe municion luftarak.
E. U. dyshohet të jetë vetëplagosur për të ngritur akuza ndaj policisë se është qëlluar me armë. Sipas asaj që ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj, ai ka marrë një plagë sipërfaqësore në kofshë. Si ai dhe J.C. nuk kanë dhënë deklarime para policisë.
Sipas të dhënave, në orët e para të mëngjesit të 24 nëntorit, policia e Pukës ka qenë për kontroll kanabisi në ambiente të mbyllura. Sapo i janë afruar banesës dy të armatosurit i kanë paralajmëruar se do të qëllojnë.
“Mos u afroni se do ju vras”, mësohet se i është drejtuar njëri prej tyre efektivëve.
Dhe gjithçka mund të ishte kthyer në tragjedi nëse ata do të kishin vendosur t’i përdornin armët dhe municionet në dispozicion. \Kjo për arsye se policia ka gjetur në shtëpinë e tyre, katër automatikë, një pistoletë, shtatë karikatorë me fishekë, 2 mijë fishekë dhe 18 granata.
Kujtojmë se dy të rinjtë u fshehën për disa orë në banesën në fjalë dhe në fund u dorëzuan tek autoritetet pas negociatave nga ana e motrës së njërit prej të dyshuarve, e cila ndërmjetësoi për të shmangur përshkallëzimin e dhunës.
Të dy personat në fjalë janë të njohur për autoritetet pasi ishin skeduar nga Anti-Terrori për veprime radikale dhe për rrezik të lartë shoqëror.
