Mohimi i masakrës së Reçakut nga shteti i Serbisë ka bërë që në mesin e shumë arsyeve tjera, partitë politikë në Kosovë të kërkojnë nga Shqipëria një qasje tjetër ndaj Serbisë dhe të anulojë samitin e Durrësit mes tri shteteve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore për të themeluar të ashtuquajtur “mini-shengenin” Ballkanik. Katër partitë parlamentare, përfshirë dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Vetëvendosje dhe LDK thonë se nuk mund të flitet për asnjë bashkëpunim rajonal me një shtet që i mohon krimet e veta.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu u shpreh kundër takimeve të tilla, veçmas tash kur haptas mohohet gjenocidi i kryer në Kosovë nga Serbia.
Kundër këtij bashkëpunimi rajonal u shpreh edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni, i cili thotë se fillimisht Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e vet.E ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, deputeti i zgjedhur, Memli Krasniqi duke kërkuar anulimin e samitit në Durrës, thotë se qasja e shtetit shqiptar duhet ndryshojë karshi Serbisë, pasi në këtë formë duke mohuar krimet, nuk mund të shkohet përpara.Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini kërkon reagim nga të gjitha vendet mike të Kosovës për mohimin e masakrës së Reçakut, teksa thotë se deklaratat e tilla duhet të ndërpresin çfarëdo bashkëpunimi mes shteteve.
Tentimet për formimin e një “mini-shengeni” Ballkanik kanë filluar para rreth dy muajve, ku fillimisht tre liderët, Vuçiq-Rama-Zaev janë takuar në Novi Sad të Serbisë, pastaj në Ohër të Maqedonisë Veriore. Kurse është paraparë që më 21 dhjetor të takohen në Durrës të Shqipërisë.Kjo iniciativë është duke u parë si e rrezikshme për Kosovës si në aspektin politik, ashtu edhe ekonomik.