Dy “Dëshmorë të Atdheut” dhe një klerik i njohur janë vlerësuar sot nga Këshilli i Bashkisë Mat.
Emrin e Musa Skurës, rënë në krye të detyrës, do të mbajë segmenti rrugor nga Kryqëzimi i Daçit deri te Varrezat e Dëshmorëve të Matit, ndërsa emrin e Sabri Nelit do ta mbajë segmenti nga Pallati i Kulturës “Shefqet Doda” deri në fund të Parkut Geraldinë.
Sakaq emrin e Hafiz Musa Stafasanit do ta mbajë segmenti që fillon në krahun e djathtë të godinës së Bashkisë Mat, përshkon Parkun Geraldinë deri te Pallati i Kulturës “Shefqet Doda” dhe mbyllet në krahun e majtë të Godinës së Bashkisë.
“Dëshmori i Atdheut” Musa Skura humbi jetën ra në krye të detyrës me 13 Janar 2013 gjatë zhvillimit të një operacioni policor në vendin e quajtur “Përrroi i Keçit”.
Ndërkohë “Dëshmori i Atdheut” Sabri Neli u vra gjatë patrullimit të rrugës nacionale Burrel-Milot, në vendin e quajtur “Kangrazhd”, me datë 20 Maj 1998.
Ish Myftiu i Matit Hafiz Musa Stafasani u arsimua në Turqi. Zotëronte disa gjuhë të huaja. Ai ishte Myftiu i Matit për 40 vite derisa ndërroi jetë në vitin 1966. U dënua nga regjimi komunist me burg për agjitracion e propogandë.
Po në këtë mbledhje fusha sportive pranë stadiumit “Liri Ballabani” u emërtua me emrin e futbollistit të njohur Dali Farruku ndërsa konvikti i Burrelit u pagëzua me emrin e Gani Shehut, një intelektuali dhe drejtuesi me kontribute në fushën e arsimit.

