Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të Opozitës në Bashkinë Tiranë i është drejtuar me anë të një letre Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Këshilltarët e Opozitës pretendojnë se është cënuar autonomia e pushtetit vendor, si dhe është margjinalizuar roli i Këshillit Bashkiak, duke u shmangur nga vendimarrja.
Në letrën e tyre Këshilltarët e Opozitës pretendojnë se, ka shenja të qarta se administrata e Bashkisë Tiranë po manipulohet dhe kërcënohet për t’u përdorur në zgjedhjet e datës 11 maj.
Letra e plotë
Të nderuar anëtarë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës,
Ne, grupi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës në Bashkinë Tiranë, dëshirojmë t’ju informojmë mbi një situatë tejet shqetësuese që po ndodh në qeverisjen vendore në Tiranë dhe që bie në kundërshtim me parimet themelore të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.
Pas vendimit të gjykatës për arrestimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, kemi vërejtur një ndërhyrje të paprecedentë dhe të paligjshme nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, në punët administrative dhe vendimmarrjen e Bashkisë Tiranë. Në vend që Këshilli Bashkiak dhe institucionet e qeverisjes vendore të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, bashkia është vënë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të ekzekutivit qendror.
Në këtë kontekst, vërejmë:
1.Cenimin e autonomisë vendore – Neni 3 i Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore përcakton qartë se autoritetet vendore duhet të jenë të lira nga ndërhyrjet e paligjshme të qeverisë qendrore. Megjithatë, veprimet e Kryeministrit tregojnë një kapje politike të institucioneve vendore.
2.Margjinalizimin e Këshillit Bashkiak – Pavarësisht se Këshilli Bashkiak është organi më i lartë përfaqësues në nivel vendor, ai është anashkaluar dhe nuk po ushtrohet roli i tij kushtetues dhe ligjor.
3.Manipulimin politik të administratës dhe burimeve publike – Ka shenja të qarta se ky kontroll i paligjshëm mbi Bashkinë Tiranë po përdoret për përfitime politike dhe ekonomike, duke përfshirë dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të dyshimtë dhe instrumentalizimin e administratës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2024.
Për këto arsye, ne: Dënojmë fuqimisht ndërhyrjet e Kryeministrit në administrimin e Bashkisë Tiranë, të cilat janë në kundërshtim me standardet demokratike dhe parimet e qeverisjes së mirë.
Inkurajojmë institucionet e drejtësisë që të vijojnë hetimet mbi çdo rast të korrupsionit dhe shkeljes ligjore të lidhur me administratën e bashkisë.
Kërkojmë një distancim të menjëhershëm të qeverisë qendrore nga vendimmarrja në Bashkinë Tiranë dhe kthimin e autonomisë së saj tek organet legjitime të qeverisjes vendore.
Bëjmë thirrje këshilltarëve bashkiakë të të gjitha forcave politike të mbajnë qëndrime të pavarura dhe të ushtrojnë funksionet e tyre në interes të qytetarëve të Tiranës.
Autonomia vendore dhe sundimi i ligjit janë themeli i një demokracie funksionale. Ndaj, kërkojmë nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës që të shqyrtojë këtë situatë dhe të ndërmarrë hapa për mbrojtjen e standardeve demokratike në nivel vendor në Shqipëri.
Me respekt, Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të Opozitës në Bashkinë Tiranë