Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i cili u ekzekutua me armë zjarri në një atentat mafioz mbrëmjen e së enjtes në Athinë, dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen e Gentjan Bejtjes dy muaj më parë në Larushk të Krujës. Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve të Bejtjes, Ilir Beqaraj, rezulton të jetë kunati i Roan Brahimit.
Ky i fundit, në bashkëpunim me grupin e Niklës, ka dyshime të forta se kanë bashkëpunuar për të kryer këtë atentat, ndërsa po ashtu dyshohen të përfshirë edhe në disa ngjarje të fundit të ndodhura në Kurbin dhe Lezhë. Ata mendohet të kenë qenë financues dhe organizator, për të goditur grupet rivale që i shihnin si rrezik për sigurinë e tyre. Për vrasjen e Gentjan Bejtjes dyshohet se pajtuan qitës nga Vlora.