Sot në qytetin e Klosit është organizuar ceremonia e betimit të kryetares së bashkisë Valbona Kola, janë zgjedhur drejtuesit e rinj të këshillit bashkiak dhe tre anëtarët e këshillit të Qarkut Dibër.
Në mbledhjen e parë të konstituimit të këshillit bashkiak ishte e pranishmë drejtuesja politike e PS-së për Qarkun e Dibrës Belinda Balluku, deputetët Aurora Mara e Lavdrim Krashi, Prefekti Nexhbedin Shehu si dhe banorë të kësaj bashkie.
Nga ana e saj Kola falenderoi të gjithë votuesit e bashkisë Klos dhe theksoi se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Ajo tha se do të bashkëpunojë ngushtësisht me këshillin bashkiak.
“Është një ditë e veçantë sot për ne në Klos, jemi të gjithë së bashku në ditën e betimit të kryetares së re të bashkisë Klos, Valbona Kola. Ishte një votë plebishitare. Kjo është një fitore dhe një përgjegjësi e madhe për Valbonën. Po sot u votua edhe kryetarja e këshillit bashkiak Hazbie Dedolli e cila fitoi 19 nga 21 këshilltarë.”, u shpreh Balluku në fjalën e saj.
Nënkryetarë të këshillit bashkiak u zgjodhën Lefterie Muça, Drita Bala dhe Edison Leti. Ndërkohë për antarë të këshillit të Qarkut Dibër fituan Erion Hutra, Nexhmie Dedolli dhe Armando Gjini.
Në këtë mbledhje të pranishmit i përshëndeti edhe Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu dhe i garantoi të zgjedhurit e rinj se nuk do të mungojë ndihma e institucionit që ai drejton.