Pas prononcimit të prokurorit Arjan Ndoja në media ku shprehet se ofron konsulencë ligjore për çështje të ndryshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkon Arta Markut të nisë hetimin për të.
Në një letër dërguar Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, KLP kërkon nisjen e një hetimi disilinor ndaj Ndojës, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
LETRA E PLOTE
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Tiranë me datë 6.11.2019
Lënda: Kërkesë për nisjen e hetimit disiplinor
PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM
T I R A N Ë
E nderuar znj. Marku,
Ngjarja e ndodhur në datën 01.11.2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku u
qëllua me armë zjarri ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoji, dhe si
rezultat i atentatit mbetën të plagosur, prokurori Arjan Ndoji, shoferi i
tij, Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar me emrin
Aleksandër Laho, është një ngjarje e rëndë në rradhët e magjistratëve si
dhe të sistemit të drejtësisë në vend.
Nisur nga të dhëna paraprake si dhe nga një prononcim dhëne për median
A2 News nga prokurori Ndoji, bëhet me dije fakti që prokurori drejton
prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për cështje
të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte
shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit
96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e
Shqipërisë”.
Neni 160/5 i Ligjit 96/2016“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në
Republikën e Shqipërisë” si dhe nenit 194/2 gërma ç, i Ligjit
115/2016“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ngarkojnë
Prokurorin e Përgjithshëm me detyrën qe të hetojë të gjitha pretendimet
për shkeljet disiplinore në rradhët e prokurorëve për sa kohë nuk është
krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.
Sa më lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në nenin 119 të ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkon nga ana Juaj, nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Mbetemi ne pritje te gjetjeve dhe propozimeve Tuaja.
Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin,
KRYETARI
GENT IBRAHIMI