Thuajse të gjitha klubet e Kategorisë Superiore kanë zgjedhur që të mos paguajnë lojtarët e tyre për muajin mars, kur u qëndrua pushim si pasojë e pandemisë, duke u kaluar lojtarëve vetëm ndihmën ekonomike të FSHF-së. Ndryshe nga të gjithë ka vepruar Partizani, që ka shpërndarë një përqindje të rrogave futbollistëve, përveç kësaj ndihme.
Këtë e ka konfirmuar në “Fan Zone” Gjergji Xharo, zyrtar i të kuqve, i cili ka shpjeguar se ka qenë një strategji e klubit duke menduar për lojtarët ndryshe sa është bërë në klubet e tjera të elitës. “Ka dalë një dokument i klubit dhe nuk na prish shumë punë. Është një dokument që është keqinterpretuar në media. Mesa di unë, 9 skuadrat e tjera nuk janë paguar për marsin, ndërsa Partizani ka vendosur t’ju japë lojtarëve 30-40% të pagës së tyre dhe kjo është diçka shumë e mirë, pasi ka paguar para për lojtarët ndryshe nga klubet e tjera”, theksoi ai.
Ai pranon se jo çdo gjë ka shkuar mirë deri tani te të kuqtë, por skuadra është ende në kohë për të korrigjiuar këto gabime në periudhën e mbetur. “Do të presim fundin për të bërë llogaritë e për të parë ku kemi çaluar. Nëse do të ishte kaq e thjeshtë, do të kishim 10 ekipe kampion. Tani kemi Tiranën në vend të parë. Të gjithë hodhën dyshime në fazën e parë, por tani janë në krye. Nuk i dihet, pasi mund të fitojmë 10 ndeshje e të renditemi më lart në klasifikim. Për rifillimin e kampionatit Partizani nuk di asgjë më shumë se klubet e tjera.
Nuk besoj se ka ndonjë klub që po mendon për merkaton, pasi ne jemi të paqartë për këtë sezon. Partizani është një klub që mendon me qetësi dhe siguri për merkaton. U largua një trajner dhe u mor koha për të gjetur një trajner tjetër. Jemi një klub që nuk merr vendime të nxituara”, tha Xharo.