Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, tha sot se të gjitha strukturat e ministrisë kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë situatës së krijuar nga përmbytjet për shkak të reshjeve intensive.
Sipas Koçiut, prania në terren ka bërë të mundur ndërhyrjen e shpejtë në çdo rast emergjent, përfshirë evakuime dhe ndihmë në situata shëndetësore apo problematike.
“Ministria e Punëve të Brendshme dhe strukturat e saj kanë qenë në gatishmëri gjatë gjithë kësaj periudhe, duke nisur me strukturat e prefektëve, të cilët kanë mbledhur menjëherë shtabet e emergjencës në nivel prefekture duke koordinuar dhe mbledhur gjithë informacionet e nevojshme që në fakt, në të tilla situata, janë të domosdoshme, jetike për të koordinuar punën e përbashkët.
“Nga prezenca në terren, kemi bërë të mundur që të gjendemi pranë çdo qytetari që ka pasur nevojë qoftë për evakuimet, qoftë për ndërhyrjet e menjëhershme, në situata shëndetësor apo situata problematike”, tha Koçiu.
Gjatë mbledhjes së Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, Koçiu theksoi se rreth 5 500 punonjës të Policisë së Shtetit janë angazhuar në të gjithë territorin e vendit, me rreth 700 mjete në dispozicion. Ndërkohë, sipas Koçiut, Forcat Zjarrfikëse kanë angazhuar mbi 720 efektivë, 55 automjete zjarrfikëse dhe 22 pompa thithëse në zonat më problematike.
“Është e vetëkuptueshme që në këtë situatë Policia e Shtetit dhe shërbimi zjarrfikës janë në krye të detyrës. Konkretisht rreth 5500 punonjës të Policisë së Shtetit kanë qenë të angazhuar në territor duke mbështetur të gjitha strukturat. Janë 700 mjete të Policisë së Shtetit të cilat janë vendosur në dispozicion për të mbështetur dhe ndihmuar.
“Forcat Zjarrfikëse, që janë mbi 720 efektivë të angazhuar në këtë situatë. Kanë kryer dhe ata rolin e tyre sa i përket misioneve jetëshpëtuese. 55 automjete zjarrfikëse në dispozicion, 22 pompa thithëse të angazhuara në zonat problematike. Zjarrfikësit kanë qenë të kudondodhur. Është momenti që të mbledhur informacionet në lidhje me dëmet”, u shpreh Koçiu.
