Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha se konfiskimi i 430 kilogramëve kokainë në Fier është bërë i mundur në bazë të konstatimeve dhe kontrolleve që janë bërë në Mal të Zi.
“Në korrik kam njoftuar kryeministrin, prokurorinë dhe policinë se fshihej një ngarkesë e dyshimtë, ishte kokainë dhe kërkoi një analizë të posaçme. Më pas u vendos bashkërisht që të kryhej një ngarkesë e kontrolluar. U vendos që prokuroria të marrë masat e veta, të informojë Shqipërinë”, tha ai për mediat malazeze.
Abazoviç shtoi se nuk janë të sigurt ende se e kujt është ngarkesa. Sipas tij, Mali i Zi “ka zbuluar në mënyrë jashtëzakonisht profesionale dhe se policia shqiptare sapo ka shkuar në vendngjarje dje, ka pritur njerëz dhe ka bërë arrestime dhe konfiskim mallrash”.
Mbrëmjen e djeshme u kapën rreth 430 kg kokainë, në një operacion të SPAK në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Droga ishte tretur në thasë me pleh kimik, me një ngarkesë totale 24 ton bashkë me kokainën që do veçohej në një laborator në Shqipëri.