Retorika rraciste nga sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, ka bërë bashkë shqiptarët në një kafe, për të treguar se ata nuk janë problemi, por që po bëhen ”kokë turku për politikën e dështuar britanike”. Ata kritikuan pretendimet e ”Home Office”, se ata po ”luanin” sistemin.
Shqiptarët shprehen për ”Daily Mail”, se ikën nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Britani, për të punuar shumë dhe për të paguar taksat e tyre, ndërsa këmbëngulnin se nuk pretendonin përfitime nga shtetit dhe nuk ishin “gangsterë apo hajdutë”. Duke folur jashtë një kafeneje në veri të Londrës, burrat pohuan se ishin viktima të racizmit dhe se po shënjestroheshin qëllimisht nga qeveria britanike për të larguar vëmendjen nga trajtimi i dobët i emigracionit.
Ervis Abdullaj, 39 vjeç, pronar i “01 Café Bar” thotë se shqiptarët vijnë në Britani për një jetë më të mirë. ”Çfarë nuk shkon me këtë? Shumë njerëz kanë ardhur nga vende të tjera, por askush nuk ankohet për ta. Shqipëria është një vend i bukur, por ka shumë korrupsion dhe dhunë atje. Shumë shqiptarë po ikin nga kushtet e tmerrshme dhe jeta e tyre është në rrezik. Mund të mos ketë luftë atje, por nuk është një vend i sigurt”.
Dritan Doda, 49 vjeç, i cili drejton një kompani ndërtimi, pyet se nëse është vetmi komunitet shqiptar në MB i përfshirë në kriminalitet dhe tregti droge? ”Unë nuk mendoj kështu. Kam 25 vjet që jam në Britani dhe nuk e di pse tani fajësohen shqiptarët për gjithçka. Ne jemi një komunitet i vogël në Mbretërinë e Bashkuar, por aktualisht jemi duke u fajësuar për të gjitha problemet e mëdha. Është racizëm për mendimin tim sepse është më e lehtë për Qeverinë të na fajësojë ne sesa të marrë përgjegjësi”.
Ndërtuesi Ermond Dena, 50 vjeç, i cili ka qenë në Britani për 10 vitet e fundit u intervistua gjithashtu dhe tha se shumë komunitete kanë kriminelë dhe tregtarë droge. Për të nuk ka asnjë arsye pse të fokusohemi vetëm te Shqipëria.