Komandanti i KFOR-it, Michele Ristuccia, duke analizuar situatën në Kosovë, deklaroi se nuk ka zgjidhje ushtarake dhe se duhet të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake, ka vetëm një zgjidhje politike. Ne, ushtria mund të krijojmë kushte sigurie për të mbajtur gjallë dialogun. Dua të jem optimist dhe të mendoj se ajo që ndodhi mund t’i bëjë palët të mendojnë më me mençuri. Nëse kjo nuk ndodh, KFOR-i do të duhet të përfshihet më shumë”, tha Ristuccia, teksa shtoi se ajo që ndodhi gjatë fundjavës nuk ishte një pikë kthese, por një evolucion i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.