Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon punën e saj në kuadër të përgatitjes për ndeshjen e 8 qershorit në transfertë përballë Islandës. Kuqezinjtë të cilët janë zhvendosur në Frankfurt të Gjermanisë, kanë kryer sot paradite seancën e parë stërvitore, ndërkohë që pasdite në orën 17:00, trajneri Edi Reja ka përcaktuar një tjetër sesion stërvitje.
Ajo që ka bërë përshtypje në seancën e paradites ka qenë stërvitja e veçuar nga grupi e mesfushorit, Amir Abrashi, i cili një ditë më parë kishte marrë një goditje, e cila nuk e ka lejuar të marrë ngarkesë të plotë. Megjithatë, pritet që futbollisti i Frajburgut në kampionatin gjerman të mos ketë problem serioz dhe pasdite të kryejë të plotë stërvitjen e planifikuar.
Ndeshje ndaj Islandës është edhe dita kur Reja do të debutojë me kuqezinjtë, ndërsa një rezultat pozitiv do të kishte një rëndësi të madhe për vazhdimësinë në rrugën drejt Euro 2020.