Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Valentin Preçi. Ankimimi i komisionerit Florian Ballhysa, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mban datën 3 maj 2024 dhe vjen pas rekomandimit të vëzhguesve ndërkombëtarë të cilët konstatuan se vendimi për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Valentin Preçi, është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit
Çfarë konstatoi vëzhguesi ndërkombëtar
Vëzhguesit përqëndrohen tek kriteri i pasurisë. Prokurori ka pretenduar se vjehrri i tij ka mbuluar shpenzimet e kredisë për blerjen e një apartamenti në Tiranë apo dhe shpenzimet e udhëtimeve dhe qëndrimit në SHBA, ku bashkëshortja e tij zgjodhi të lindte. Jo vetëm kaq ai pretendon dhe për një shumë të fituar në loto sportive.
Gruaja e papunë, faturat ia pagonte vjehrri
Bëhet fjalë për një apartament banimi me sipërfaqe 84,54 m2” dhe “Garazh me sipërfaqe 14 m2” e blerë 50.000 euro në Tiranë.
Gjatë deklarimeve prokurori pretendoi se për ta blerë kishte shfrytëzuar dhe pagën e gruas së punësuar për vite 2007- 2009 në një shoqëri. Por nga verifikimi i komisionerit nuk provohet se bashkëshortja e prokurorit të ketë qenë në marrëdhënie punësimi në këtë shoqëri. Madje emri i saj figuronte as në list pagesat e kësaj shoqërie në sigurime shoqërore.
Po kështu në vitin 2008 në deklarimin e tij prokurori thotë se një kredi prej 2800 euroshe dhe shpenzimet e udhëtimit të tij dhe të bashkëshortes në korrik të këtij viti ia kishte paguar vjehrri. Po kështu dhe nga janari i vitit 2009 deri në shtator të ktij viti janë paguar 3200 euro këste kredie, thotë se vjehrri I tij ka paguar si kontribut për t’i ardhur në ndihmë vajzës së tij.
Edhe në janar – shtator 2010, vjehrri ka paguar 2750 euro këste kredie të familjes së prokurorit Preçi. Vetë vjehrri deklaronte se burim i të ardhurave që kishte financuar ishin kursimet e realizuara nga të ardhurat e pagës së tij, gruas dhe djalit.
Jetesa në SHBA 5 dollarë dita! U harruan shpenzimet lindjes 10 mijë dollarë
Nga dokumentat zbulohet se prokurori dhe bashkëshortja kishin zgjedhur SHBA-në si vendi për të lindur. Prokurori thotë se vetë kishte qëndruar për gati 1 muaj në banesën e shoqes së bashkëshortes, KPK ka llogaritur shpenzimet në 5 dollarë dita duke ulur ndjeshëm shpenzimet për vitin 2009. Po kështu nuk janë përmendur shpenzimet mjekësore gjatë shtatzënive dhe lindjes së fëmijëve në SHBA.
ONM në ankimimin e saj thotë se nuk është kryer asnjë hetim për shpenzimet mjekësore gjatë shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës së porsalindur në SHBA. “Dihet gjerësisht se shpenzimet e lindjes në SHBA mund të jenë të konsiderueshme, mesatarisht rreth 10.000 USD, në varësi të faktit nëse bëhet fjalë për një lindje normale apo një seksion cezarian” thuhet në ankimimin e ONM duke shtuar se ndihma sociale që merrte gruaja e tij në SHBA ishte e vogël për të përballuar çmimet atje.
Vajtje ardhjet në SHBA
Kur u pyet sesa shpesh ka dalë jashtë shtetit prokurori ka treguar se për qëllime private ka qenë një herë në Itali me bashkëshorten, në SHBA rreth 10-11 herë dhe, meqë bashkëshortja ka jetuar në SHBA, shpenzimet janë mbuluar nga të ardhurat e mia dhe të bashkëshortes, ka thënë ai në deklarimin e ILDKPKI-së.
7 mijë euro në loto sport
Po kështu në 2010 prokurori Preçi deklaron se kishte fituar 7 451 euro nga lotot sportive dhe për këtë ka vënë në dispozicion katër bileta lotoje, ndësa deklaronte se ishin 5 bileta fituese. Prokurori ka pretenduar se i ka ndarë me të vëllanë dhe KPK ka përfshirë shumën 4 mijë euro nga kjo shifër si të ardhur të ligjshme por Komisioneri publik është kundër
Në përfundim, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, Komisioneri Publik, në zbatim të Rekomandimit të ONM-së,vlerëson se subjekti i rivlerësimit: ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë! Ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht krijimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe kryerjen e shpenzimeve ndër vite, duke u gjendur në kushtet e parashikuara nga neni 61, pika 3, i lidhur me nenin 33, pika 5, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016.
Udhëtimet me vëllezërit Frroku
Komisioneri publik, si ONM kërkon dhe rivlerësim sa I takon kriterit të figures së Prokurorit Preçi i cili nuk kishte deklaruar si kontakte të papërshtatshme udhëtimet, me vëllezërit Arben dhe Mark Frroku në Prizren dhe në Malin e Zi. Bëhet fjalë për një udhëtim në qeshor 2012 në Mal të Zi dhe korrik të 2012 në Prizren.
” kam udhëtuar me z. *** ***, i cili po shkonte për arsyet e tij në Mal të Zi. Rastësisht kam mësuar se kishte për të shkuar në Mal të Zi dhe i kam kërkuar të udhëtoj me të, me qëllim për t’i dërguar një pako me medikamente mikut tim *** *** […]. Për udhëtimin e datës **.7.2012 ka deklaruar se: […] udhëtim në Prizren me shtetasin *** ***. Takimi ishte i rastësishëm dhe, meqenëse erdha në dijeni të udhëtimit të tij, mendova të shkoja, me qëllim të shihja qytetin e Prizrenit’.
Prokurori deklaronte se udhëtimet ishin rastësore, dhe i këtij qëndrimi është KPK, por Komisioneri Publik së bashku me ONM-në kanë qëndrim të ndryshëm. Nuk besojnë se këto kanë qenë takime rastësore me njerëz krejtësisht të panjohur.
ONM:“Është kërkesë ligjore që subjekti i rivlerësimit duhet të tregojë për kontaktet e mundshme të papërshtatshme, veçanërisht përderisa një nga vëllezërit sipas informacioneve publike nga burime të faqeve digjitale të lajmeve, ishte i akuzuar më parë për shfrytëzim të prostitucionit dhe pastrim të parave. Në këndvështrimin tonë, subjekti i rivlerësimit dështoi të përmbushte këtë detyrim.
Komisioni, bazuar vetëm në shpjegimet e subjektit, në mënyrë të parakohshme, ka arritur në përfundimin se këto ishin kontakte të rastësishme, pa kryer një vlerësim të hollësishëm; Komisioni duhet të ndiqte një qasje më tepër kritike dhe të vlerësonte nëse këta individë ishin akuzuar si persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe si dhe apo plotësisht kjo do të afektonte pozitën e subjektit të rivlerësimit si magjistrat; Duke pasur parasysh famën e familjes ***, një vëzhgues i zakonshëm ka të ngjarë të mos jetë dakord që një magjistrat të udhëtojë me individë të tillë”
Komisioneri Publik: “ Referuar të dhënave publike lidhur si me hetime penale apo vendime gjyqësore penale, pasqyruar gjerësisht publikisht dhe shpeshherë pas vitit 2013, të dy shtetasit, ***. ***. dhe ***.***., kanë qenë subjekte të hetimeve penale dhe dënimeve në zbatim të vendimeve gjyqësore për kryerjen e veprave penale me rrezikshmëri të lartë, rrethana këto që duhet të ndërgjegjësonin subjektin e rivlerësimit, aq më tepër në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, në juridiksionin tokësor të së cilës kanë ndodhur ngjarjet/veprat penale, të deklaronte në deklaratën për kontrollin e figurës
Nuk jemi dakord me pohimin se udhëtimi me vëllezërit *** ishte i rastësishëm. Koincidencat e përmendura në përgjigjet e subjektit të rivlerësimit janë të shumta dhe jo bindëse. Fillimisht takohet rastësisht me *** *** dhe udhëton për në Mal të Zi, më pas, disa javë më vonë, me *** *** në Kosovë. Për më tepër, *** *** ishte pronar në kompaninë e basteve, nga e cila vlerësuesi kishte marrë një vërtetim konfirmimi, ku thuhet se kishte marrë 7,451 euro në vitin 2010. Këto rrethana paraqesin shumë pikëtakime për t’u hedhur poshtë dhe nuk e mbështesin pretendimin e subjektit të rivlerësimit se këto takime ishin takime të rastësishme me njerëz krejtësisht të panjohur. Prandaj, duhet të ishte bërë një analizë e plotë për të vlerësuar implikimin etik të këtyre ndërveprimeve nën kriterin e vlerësimit të aftësisë profesionale”
Donacioni per djalin e semure
Një tjetër detaj është donacioni 30 mijë lekë që prokurori ka marrë si dhuratë për djalin e tij të sëmurë nga një ‘mik’ të cilit më pas i është pushuar cështja nga prokurori. Po kështu komisioneri evidenton me probleme dhe dy raste të tjera të dyshimta të mbylljeve të dosjeve.
Rekomandimi i ONM
Ne ankimimin e datës 24 prill 2024 ONM argumenton se vendimi për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Valentin Preçi, është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Në ankimimin e sotëm Komisioneri Publik, vlerëson se subjekti i rivlerësimit: ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë; dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht krijimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe kryerjen e shpenzimeve ndër vite. Po kështu vlerëson se veprimet e subjektit të rivlerësimit afektojnë kriterin e aftësisë profesionale, dhe sjellja e subjektit të rivlerësimit duket se vjen në kundërshti me vlerat themelore të pritshme të një magjistrati,’ thuhet ne ankimimin e Komisionerit Publik.