Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore nis sot punën në orën 12:00. Në rendin e ditës të mbledhjes është përcaktimi i numrit të ekspertëve teknikë që do të asistojnë komisionin, si dhe kërkesa për mbështetje teknike nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.
PS dhe PD bashkuan votat në parlament për të ngritur komisionin, i cili do të përfshijë të gjitha partitë. 7 anëtarë do të ketë PS, 5 PD, 1 PSD, 1 Partia Republikane, 1 Partia e Lirisë, 1 Mundësia. Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të sjellin deputetët për diskutime, por pa të drejtë vote.
Reforma Zgjedhore ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga ndërkombëtarët dhe u theksua edhe në raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit si dhe në progres raportin e BE për Shqipërinë. Edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato e ka konsideruar reformën si një hap kyç drejt integrimit.
