Në konferencën e organizuar për 30-vjetorin e partneritetit mes Shqipërisë, Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e rëndësishëm që Komisioni ka luajtur në proceset demokratike dhe institucionale të vendit. Nga ana tjetër, Rama tha se Komisioni i Venecias ka qenë një bashkudhëtar i pandarë në përpjekjet e Shqipërisë për demokratizim dhe integrim europian.
“Komisioni i Venecias e ka shoqëruar në vijimësi përpjekjen e Shqipërisë për t’u demokratizuar dhe për t’u transformuar nga një vend i sapodalë nga diktatura, në një vend që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Evropian. Simbolikisht mund të thuhet se Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë materniteti, kanë lindur në të njëjtën kohë, në vitin 1990″, deklaroi Rama. Kryeministri nënvizoi se historia e zhvillimit demokratik të Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me historinë e forcimit të ndikimit të Komisionit të Venecias, të cilin e cilësoi si “asistent bujar dhe të paanshëm” të çdo vendi që kërkon të përqafojë standardet më të mira demokratike.
“Sot Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, të vitit 1998. Po ashtu, ka një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në procese ku mendimi i Komisionit ka luajtur rol vendimtar për drejtimin e tyre. Ka dy kontribute kyçe për historinë e re të zhvillimeve demokratike në Shqipëri përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe reformën në drejtësi”, u shpreh Rama. Ai theksoi se pa mbështetjen e Komisionit të Venecias, reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut nuk do të ishin realizuar me sukses.
“Pa Komisionin e Venecias dhe kontributin e tij, do të kishte qenë e pamundur që Shqipëria të ndërmerrte procesin e vettingut, pjesë thelbësore e reformës në drejtësi. Ky proces nuk është kryer me të njëjtën thellësi në asnjë vend tjetër që ka tentuar ta zbatojë”, tha Rama, duke shtuar se opinionet e Komisionit respektohen në çdo nivel ndërkombëtar. Sipas kryeministrit, Komisioni i Venecias ka fituar fuqinë për t’u imponuar dhe respektuar si autoritet ndërkombëtar në fushën e shtetit të së drejtës, duke mbetur udhërrëfyes i besueshëm për vendet që kërkojnë të forcojnë demokracinë dhe institucionet e tyre.
Krahas kryeministrit Edi Rama, foli edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e cila theksoi rëndësinë e këtij institucioni në forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e lirive themelore. Zaçaj u ndal veçanërisht te marrëdhënia mes Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, duke nënvizuar se kërkimi i opinioneve nga Komisioni duhet të ndodhë paraprakisht dhe jo të përdoret për të vënë në diskutim vendimet përfundimtare të Gjykatës.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakontestueshme. Kërkimi i një opinioni nga Komisioni i Venecias duhet të ndodhë paraprakisht dhe jo të përdoret si mjet për të vënë në diskutim një vendim të dhënë”, theksoi Zaçaj. Ajo e cilësoi Gjykatën Kushtetuese si një garanci të funksionimit të demokracisë, duke shtuar se një gjykatë që nuk guxon, nuk është veçse një “dekor institucional”. “Një Gjykatë Kushtetuese që nuk guxon është një dekor institucional. Gjykata Kushtetuese nuk është pronë e politikave, është arbitër i lojës demokratike. Kushtetuta nuk është pronë e askujt, por kontratë me qytetarin”, deklaroi Zaçaj.
Në fjalën e saj, ajo kujtoi rolin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila, sipas saj, është bërë pjesë përbërëse e sistemit juridik shqiptar që pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës. “Në vitin 1995, Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës dhe një vit më vonë ratifikuam Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një nga aktet e para në këtë drejtim ishte shfuqizimi i dënimit me vdekje, që përbënte një angazhim juridik dhe politik të Shqipërisë”, tha ajo.
Zaçaj vlerësoi se standardet dhe parimet e Komisionit të Venecias kanë ndihmuar në konsolidimin e sistemit juridik shqiptar, duke e quajtur këtë marrëdhënie “dialog mes të barabartëve”. “Komisioni i Venecias ka qenë një partner i çmuar për Gjykatën Kushtetuese. Partneriteti nuk është një marrëdhënie mësues–nxënës, por dialog midis të barabartëve. Kur Gjykata kërkon opinion, nuk kërkon leje dhe nuk cenon sovranitetin e saj”, shtoi Zaçaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese përmendi edhe bazën e të dhënave “CODICES” të Komisionit të Venecias, duke e përshkruar si dëshmi të faktit se drejtësia kushtetuese flet një gjuhë universale. Në përfundim, Zaçaj theksoi se procesi konsultativ me Komisionin e Venecias nuk mund të përdoret për të shmangur apo kontestuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi ato janë përfundimtare dhe të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha organet e shtetit.
