Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar zyrtarisht OSBE/ODIHR-it me një kërkesë për vënien në dispozicion të ekspertëve ndërkombëtarë që do të asistojnë punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në një letër dërguar institucionit ndërkombëtar, Kuvendi shpreh mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të ODIHR-it në forcimin e standardeve zgjedhore dhe njofton se komisioni i sapomiratuar ka nisur procesin e hartimit të ndryshimeve ligjore duke u bazuar në rekomandimet e zgjedhjeve të fundit dhe atyre të mëparshme.
“Ju shprehim falënderimet dhe mirënjohjen tonë të përzemërt për kontributin e vazhdueshëm që OSBE/ODIHR ka dhënë për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe në veçanti për forcimin e standardeve zgjedhore. Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 74, datë 27.10.2025, ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ky Komision ka objekt të punës së tij të hartojë ndryshime ligjore për reformën zgjedhore, duke adresuar rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit dhe ato të mëparshme të patrajtuara, si dhe rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Duke iu referuar dakordësimit të arritur në komunikimet dhe takimet e zhvilluara me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it, kemi kënaqësinë t’ju paraqesim në emër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore kërkesën zyrtare për vënien në dispozicion të ekspertizës suaj nëpërmjet ekspertëve të ODIHR-it për të asistuar punën e Komisionit gjatë procesit të reformës. Modalitetet e bashkëpunimit me ekspertët tuaj mund t’i dakordësojmë në vijim nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit. Duke ju falënderuar paraprakisht për gatishmërinë dhe bashkëpunimin, ju përcjellim konsideratat tona më të larta”, thuhet në letër.


