Deputetët e komisionit hetimor për koncesionet në Shëndetësi, mësohet se kanë kryer një vizitë në spitalin rajonal të Durrësit. Në kuadër të planit të miratuar të vizitave 2-javore, deputetët e këtij komisioni fillimisht zhvilluan një takim me drejtues të spitalit, ndërsa më pas një pjesë e tyre kanë parë nga afër mjediset ku kryhet sterilizimi i pajisjeve mjekësore.
Kryetarja e këtij komisioni, deputetja e Rithemelimit, Albana Vokshi tha se vendosën që vizitën e parë ta bëjmë në Durrës edhe për shkak të rëndësisë që ka ky spital, ndërsa shtoi se të gjithë informacionin që morën gjatë diskutimeve me drejtues të spitalit, do ta vënë në dispozicion të komisionit hetimor.
Nënkryetari i komisionit, deputeti Plarent Ndreca tha se kjo është një vizitë informuese që do të vijojë edhe në institucione të tjera më qëllim plotësimin e kuadrit që ka komisioni hetimor me synim mbylljen e tij në 22 korrik.