Nga selia blu, deputetja Ina Zhupa foli gjerësisht lidhur me padinë në Gjykatën Kushtetuese për dhënien me koncension nga ana e qeverisë “Rama 3” të një pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit. Zhupa ndau lajmin se tre institucione kushtetuese të pavarura nga njëra-tjetra, dhe tre institucione të larta të shtetit kanë parashtrimet e tyre në Gjykatën Kushtetuese, dhe kanë mendimin e tyre me shkrim për shpalljen antikushteutes të koncesionit Butrintit.
“Një lajm i shkëlqyer që lidhet me rezultatin besoj final që do të ketë ky proces gjyqësor, duke fituar Butrinti, duke fituar shqiptarët edhe qytetarët. Tre institucione kushtetuese të pavarura nga njëra-tjetra, dhe tre institucione të larta të shtetit kanë parashtrimet e tyre në Gjykatën Kushtetuese, dhe kanë mendimin e tyre me shkrim për shpalljen antikushteutes të koncesionit Butrintit.
Konkretisht jemi ne deputetët si organ kushtetues, të cilët kemi paraqitur edhe kërkesën, edhe parashtrimet tona, të cilët kërkojmë shfuqizimin e koncesionit dhe nga ana tjetër është Presidenti i Republikës, i cili siç e ka paraqitur edhe në Kuvend me dekret edhe me arsyet e kthimit të këtij dekreti, e quan koncensionin anti-kushtetues.
Në këtë rast bëhemi dy palë. Risia dhe shtesa e këtyre parashtrimeve është edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, një organ tjetër kushtetues i pavarur në parashtrimet që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese mbështet plotësisht kërkesën e deputetëve të Opozitës dhe kërkon shfuqizimin e ligjit si një ligj anti-kushtetues. Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit njehësohen duke thënë që koncensioni i Butrintit është anti-kushtetues”, tha Zhupa.