Një konflikt i nisur brenda një servisi, mund të përfundonte me vrasje. Forcat blu informojnë se në lagjen numër 1, në Rrogozhinë, pronari i një servisi kërcënoi me armë zhurmuese dhe dhunoi një klient. Pronari me inicialet A.M, 40-vjeç dhe punëtori i servisit me inicialet M.M, 36-vjeç, dhunuan e kërcënuan klientin. Policia bëri të mundur arrestimin e dy personave si dhe sekuestroi një pistoletë zhurmuese e gjetur në vendin e ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Servisi”. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë. Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti mes disa shtetasve. Vihen në pranga pronari dhe punonjësi i një servisi, pasi goditën me grushte dhe kërcënuan me pistoletë zhurmuese, klientin e servisit. Sekuestrohet pistoleta zhurmuese e gjetur në vendin e ngjarjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, në Rrogozhinë, një shtetas, në servisin e tij, në bashkëpunim me punëtorin e servisit, kishte goditur me grushte dhe kishte kërcënuar me armë zhurmuese, një klient, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Servisi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- A. M., 40 vjeç, pronari i servisit, dhe M. M., 36 vjeç, punëtori i servisit, të dy banues në Rrogozhinë.
Këta shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte dhe kanë kanosur me pistoletë zhurmuese shtetasin A. G., 40 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pistoletë zhurmuese e gjetur në vendin e ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.