Qeveria ruse pritet të miratojë një ligj për të mos lejuar kritikat ndaj ushtrisë. Ligji parashikon konfiskimin e parave, pronave dhe gjithë aseteve me vlerë financiare për këdo që shpallet fajtor për përhapje të lajmeve të rreme ndaj ushtrisë së Federatës Ruse.
Projekti është prezantuar nga kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit. Sipas deputetëve të partisë së Putin, kushdo që do të flasë kundër interesave të Rusisë duhet të marrë ndëshkimin e merituar.
Ligji vjen pas rritjes së kritikave në shoqërinë ruse për kostot që po paguajnë njerëzit për luftën në Ukrainë. Që nga nisja e luftës, qeveria ruse nuk ka dhënë shifra të sakta për ushtarët që kanë humbur jetën në front dhe as për kostot që po paguan ekonomia ruse nga embargoja e SHBA dhe Bashkimit Europian.
Me ligjin aktual rus, akuza për përhapje të “informacionit të rremë” për ushtrinë, është e ndëshkueshme me burgim me deri 15 vjet. Me këtë ligj janë dënuar disa zëra kritikë kundër qeverisë, ndërsa me projektin e ri synohet tu merret edhe pasuria.