Partia Socialiste do të organizojë ditën e premte një kongres të jashtëzakonshëm. I pyetur në “Opinion” se çfarë pritet të ndodhë, Sekretari i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha se nuk do të jetë një kongres zgjedhor. Kongresi parashikohet të zgjasë disa orë dhe do të rienergjizohet Partia Socialiste si dhe përgatitja e punës për zgjedhjet e maj 2025.
Blendi Fevziu: Klosi, t’ju pyes pak edhe për kongresin. Çfarë kongresi do të bëni nesër?
Blendi Klosi: Nesër është kongres i jashtëzakonshëm.
Blendi Fevziu: Me këto të jashtëzakonshmit në Shqipëri kemi eksperienca të këqija.
Blendi Klosi: Nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme.
Blendi Fevziu: Po pse është i jashtëzakonshëm?
Blendi Klosi: Po sepse nuk është një kongres zgjedhor, kështu e kemi në statut.
Blendi Fevziu: Ju e bëni vetëm për PS, nuk caktoni edhe kryetarin e PD?
Blendi Klosi: Ne e bëjmë vetëm për PS, për të treguar se si është një parti, do të ishte shumë mirë që edhe kolegët e djathtë të merrnin pak eksperiencë se si bëhet kongresi.
Blendi Fevziu: Ata kanë bërë disa kongrese.
Blendi Klosi: Si bëhet kongresi për mirë, se deri tani janë bërë kongrese për keq.
Blendi Fevziu: Çfarë domethënë kongres i jashtëzakonshëm, për çfarë po e bëni?
Blendi Klosi: Kongres i jashtëzakonshëm është pas fitores së zgjedhjeve të majit ne kemi filluar punën për të përgatitur zgjedhjet e 2025. Qartazi, PS e ka shprehur ambicien e saj…
Blendi Fevziu: Me atë stilin tipik Klosi..
Blendi Klosi: Ka një axhendë të gjatë pune, nuk është një kongres i shkurtër, do jetë një kongres disa orësh, ka disa panele ku paraqiten jo vetëm çfarë do të bëjmë me partinë, jo vetëm do rienergjizojmë Partinë Socialiste, por çfarë kemi bërë deri tani, çfarë kemi bërë me Refomën në Drejtësi.
Blendi Fevziu: Është llogaridhënie, do ketë zgjedhje në organet drejtuese?
Blendi Klosi: Nuk është kongres zgjedhor, në pranverë kemi kongresin zgjedhor, por do të votohet platforma për rienergjizimin e PS, do të ketë po ashtu një mbledhje të Asamblesë Kombëtare ku do të votohet për sekretariatin e PS.
Blendi Fevziu: Është kongres i jashtëzakonshëm për gjërat e zakonshme.
Blendi Klosi: Është kongres i jashtëzakonshëm për situatën në të cilën ndodhemi dhe për të përgatitur veten tonë për të fituar zgjedhjet e 2025. Ne jemi për të fituar, jemi një forcë e madhe politike, kemi përgjegjësi dhe jemi një shkollë politike. Nëse duan që të kuptojnë si bëhet politika, të shohin PS si organizohet, si qëndron në garë.
Blendi Fevziu: Më mirë mos t’ju kishin parë si bëhet politika, por ishallah mbani peshën e SPAK-ut këto kohë deri në zgjedhje se po të jetë për gjëra të tjera…