Policia e Shtetit me vendim të GJKKO-së dhe urdhër të SPAK, kreu këtë të martë kontrolle në të gjitha ambientet dhe zyrat në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ku janë strehuar aktivistë të opozitës iraniane. Zëdhënësi i MEK, thotë se ka pasur përplasje mes tyre dhe policisë, dhe si pasojë ka mbetur i vdekur një person. Por Policia e Shtetit thotë se nuk është lajm i vërtetë.
Përmes një njoftimi për shtyp, më herët Policia e Shtetit informoi se kontrollet bëhen në kuadër të një plani operacional në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se janë lëshuar 70 urdhër-arreste për iranianët që janë strehuar në kampin e MEK në Manzë të Durrësit.
Muxhahedinët janë opozitarë iranianë që prej dekadash luftojnë kundër regjimit të Teheranit dhe që kanë një vendstrehim të rëndësishëm në Manzë të Durrësit.
Njoftimi i Policisë
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.
Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.
Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij. Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.