Thirrjet kundër Kosovës në një ndeshje futbolli në Serbi kanë sjellë reagimin e Prishtinës. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë kërkuar reagimin e institucioneve zyrtare.
Koreografia e përdorur nga tifozët serbë “Delije” gjatë ndjeshjes ndërmjet “Yllit të kuq” dhe Fiorentinës në Beograd, ka ngjallur reagime të shumta. Koreografia në të cilën shkruhej “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, për zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është një mesazh i qartë, të cilët presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, qëllimisht nuk i përmend publikisht.
“Ai ka nevojë për veprime të tilla që të ushqejë urrejtjen dhe nacionalizmin etnik në opinionin publik, i gjithë aparati shtetëror në Serbi është i ndërtuar që media, sporti, arti, kultura, shkenca, të përdoren si mjete propagande dhe që të nxisin dhunë, terror, tensione dhe luftë”, ka shkruar Bislimi.
Edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është shprehur se Serbia po përdor tifozerinë për mesazhe lufte. Ai ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë ndaj këtij veprimi.
“Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, ka shkruar Çeku.