Ka nisur votimi për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.Janë 1,937,869 persona që sot kanë të drejt vote, të cilat do të kenë mundësi t’i votojnë për 20 parti politike, katër koalicione dhe 1 kandidat të pavarur, me 1 067 kandidatë për deputetë.
Numri i Qendrave të Votimit është 895 me 2 mijë e 547 vendvotimeve. Kurse, numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje është 111 mijë e 733 votues.
Evidentohen parregullsitë e para zgjedhore
Organizatat vendore që monitorojnë procesin zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, kanë identifikuar parregullsitë e këtij procesi në orët e para të votimeve.
Ismet Kryeziu, nga Demokracia në Veprim, në një konferencë për media ka thënë se në 2.6 për qind të qendrave të votimit ka pasur vonesa në hapjen e tyre më kohë.
“Të gjitha këto vonesa, kryesisht kanë ndodhur për shkak të komisionereve, për shkak të vonesës në shpërndarjen e materialit zgjedhor. Gjithashtu një vendvotim ende nuk është hapur për shkak se një komisioner është tërhequr në momentin e fundit”
Po ashtu, Kryeziu thotë se në qendra të votimit është vërejtur edhe prania e materialit propagandues të subjekteve politike.
“Por, sot në 7 për qind të qendrave të Kosovës, vërehet material propagandues i subjekteve politike të cilat nuk i kanë larguar nga afërsia e qendrave të votimit. Komunat ku më se shumti janë vërejtur këto parregullsi, janë komuna e Gjilanit, e Prishtinës dhe Komuna e Prizrenit”, tha Kryeziu.