Rruga e cila ishte bllokuar më 27 dhjetor, në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim. “Andaj, njoftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tani se pikë kalimi kufitar “Merdare”, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Merdara ishte një ndër pikat kufitare të bllokuara prej disa ditësh, për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët. Sipas informacioneve të deritanishme, pikat e tjera kufitare në Jarinje dhe Bërnjak mbeten të bllokuara.
Kjo ka bërë që pika kufitare “Dheu i Bardhë” në lindje të Kosovës mbetet më e ngarkuara, ku koha për të hyrë është rreth 10-20 minuta dhe për të dalë 5-10 minuta, sipas raportimeve nga Kosova. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kjo pikë po shërben si rrugë alternative edhe për të gjithë shtetasit e Kosovës që futen në vend.
Që nga 10 dhjetori, serbët lokalë të ndihmuar nga grupet ekstremiste me mbështetjen e Beogradit kanë vendosur disa barrikada në veri të Kosovës. Vendosja e tyre është bërë për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës. Por pas lirimit të tij, të mërkurën u paralajmërua se këto të fundit do të largohen.