Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkar nga detyra gjyqtarin Artur Malaj, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, njëherësh kandidat për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.
Malaj kishte dhënë dëshmi kontradiktore për pasurinë e tij, çka çoi në shkarkimin nga detyra të gjyqtrarit të Apelit. Ai u konfirmua disa muaj më parë nga shkalla e parë e vettingut, KPK, ndërsa Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e tij.
Artur Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej korrikut 2013 është gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit. Ai ka drejtuar Gjykatën e Vlorës nga viti 2004 deri në vitin 2013; kur u promovua nga presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit.