Në strehimin e familjeve në nevojë, bashkitë, krahas programeve të caktuara që aplikojnë me fondet e tyre, do të kenë edhe mbështetjen e qeverisë. Ndonëse me buxhet modest, Ministria e Financave çdo fillimviti do t’u “shtrijë dorën” njësive të qeverisjes vendore, duke pritur prej tyre projekte që kanë nevojë për financim.
Përveç programit të banesave sociale me qira dhe shpërndarjes së banesave me kosto të ulët, në skemë janë përfshirë edhe disa programe të tjera, siç është ai për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, pro-grami për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, krijimi i strehëve të përkohshme, si edhe programi për ndërtimin e banesave të specializuara.
Gazeta zbardh sot projektvendimin “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet, që përfitojnë banesë me kosto të ulët me kreditë e lehtësuara nga shteti”. Sipas këtij drafti, që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt edhe në qeveri, subvencioni i kredisë që do të ofrohet për familjet që do të përzgjidhen për t’u trajtuar me banesë, nuk do të mbulohet në masën 100%, por në varësi të gjendjes ekonomike të përfituesve, me përjashtim këtu të familjeve qiramarrëse, të cilat do të mbështeten në masën 100 për qind nga buxheti i shtetit. “Familjet qiramarrëse që banojnë në banesa pronë e subjekteve të shpronësuara, e përfitojnë subvencionim 100% të interesit të kredisë. Këto familje paguajnë vetëm principialin e kredisë me interes 0./0”, thuhet në pikën 3 të draftit.
KUSHTET
Por deri në firmosjen e kontratës, ka disa hapa të tjerë që duhet të ndiqen. Duke iu përmbajtur kuotave të mistrisë, bashkitë do të miratojë listën e familjeve përfituese.
Për aplikimet, procesi është i ndarë në dy faza. Në fazën e parë aplikantët shprehin vullnetin e tyre për të përfituar nga programet e strehimit Veç të dhënave bazë, do të kërkohet po ashtu informacion mbi kushtet ekonomike, pra të ardhurat që ka familja, për kushtet sociale referuar kategorive specifike siç janë jetimët, personat me aftësi të kufizuar etj.. Të dhëna do të kërkohen po ashtu për kushtet e strehimit, në të cilat ndodhet familja në momentin e aplikimit. Gjatë fazës së dytë vendoset për trajtimin e aplikantit me një program social. Në këtë fazë, çdo aplikant duhet të dorëzojë dokumentacionin që vërteton deklarimet e bëra në fazën e parë.