Kryetarja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera në një opinion të sajin flet për sulme ndaj reformës në drejtësi në Shqipëri. Disa njerëz thotë ajo mund t’i tremben reformës, dhe duan ta pengojnë, por kjo nuk do të lejohet të ndodhë.
“Duke marrë në konsideratë interesin e lartë publik është e rëndësishme të sigurohet një monitorim i ngushtë i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive progresi i saj. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta e të papranueshme, përfshi edhe shigjetim personal të anëtarëve të institucioneve të vetingut. Disa njerëz mund ti tremben reformës në drejtësi dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet. Kjo është përgjegjësi e të gjithë institucioneve shqiptare, partive politike, si dhe shoqërisë civile, për të siguruar se forcimi i pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit përmes këtij procesi është i garantuar.Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë që Shqipëria të kalojë nga faza tranzitore e sistemit të drejtësisë në implementimin e plotë të saj. Organet e vetingut do të sigurojnë trajtimin e vazhdueshëm të rasteve prioritare në mënyrë që institucionet e reja të vendosen plotësisht”, thotë Calavera në opinionin e saj.
Ajo shprehet se BE dhe SHBA janë plotësisht të përkushtuar që të vazhdojnë mbështetjen e reformës së gjyqësorit në Shqipëri, “për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike ku askush nuk është mbi ligjin. Vetingu i gjyqësorit është një hap thelbësor në këtë drejtim”.
Ajo thotë se strukturat e krijuara meritojnë inkurajim të veçantë. “Nuk duhet të harrojmë se reforma e drejtësisë përfshinte një rishikim rrënjësor të të gjithë qeverisjes së gjyqësorit. Ajo u përqendrua në krijimin e një sistemi të pavarur dhe të vetëqeverisur që siguron integritet dhe përgjegjësi të qëndrueshme, si dhe pavarësinë nga ndikimi politik. BE përkrah plotësisht krijimin e KLGJ dhe KLP, si dhe Këshillin e ri për Emërimin e Drejtësisë, duke pranuar se duhet kohë për të ndërtuar një sistem të ri të qëndrueshëm”, vijon ajo.