Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca në interpelamcën me deputetin socialist Erion Braçe, paralajmëroi krijimin e regjistrave online për fermerët, blegtorët dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Po ashtu për replikën e Braçes, ministrja tha se fjalimin e tij nuk di ku ta kapësh.
“Është e vështirë që të flas për kontatat, kur në fakt fjalimin nuk di ku ta kapësh. Menaxhimi i mirë i tokës bujqësore mund të bëhet me një inventarizim. Përqafimi i teknologjisë ka hapur një kantier të rëndësishëm në Ministrinë e Bujqësisë që synon grumbullimin e informacionit, në nivel ferme. Ne po ndërtojmë për herë të parë, regjistrin e fermës.
Na jep informacion të saktë. Me anë të këtyre të dhënave identifikojmë tokën. Mundësojmë rritjen e prodhimit, adresojmë edhe progresin e BE. Ky informacion mundëson kontroll në kohë reale.
Për rritjen e efektivitetit të përdorimit të tokës bujqësore, kemi ngritur programin e menaxhimit te qendrueshem të tokës bujqësore ku kemi ndërtuar një sistem me të dhënat kadastrale, të pronësisë, cilësisë dhe përdorimit të tokës- program i cili do të mundësojë fermerëve akses online të të dhënave rreth tipeve të tokës, kulturat dhe pershtatshmërinë bujqësore që është më e udhes të kultivohen me bazen e të dhënave në nivel parcele.
I ofrojmë një informacion shtesë të gjithë fermerëve, sipërmarësve dhe aktorëve të bujqësisë, rreth cilësisë së tokës dhe kulturave më të përshtatshme që duhet të kultivojnë në tokën e tyre”.