Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur shtyrjen me tre muaj të hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin. Afati për përfundimin e hetimeve për ish-ministri do të skadonte ditën e nesërme më 17 janar.
Shtyrja e hetimeve është bërë për kryerjen e disa verifikimeve shtesë që do të ndihmojnë lidhur me zbardhjen e dosjes.
Pak javë më parë Tahiri depozitoi në prokurorinë e Krimeve të Rënda edhe vendimin e prokurorisë së Catanias e cila pushoi hetimet ndaj tij pasi nuk gjeti asnjë element të veprës penale.
Këtë vendim Tahiri e bëri edhe publik duke thënë se ai ka heshtur edhe kur akuzohej padrejtësisht.
Kjo dosje solli përplasje dhe një hetim edhe në momentin e ekstradimit të Nazer Seitaj në Itali në një kohë kur ndaj tij kishte një masë sigurie “arrest me burg” nga Krimet e Rënda në Tiranë. Grupi Habilaj u vu në hetim nga prokuroria e Catanias ku aktualisht i gjithë grupi është dërguar në gjykim me akuzën e trafikut të tonelatave canabis dhe disa armë kallashnikov në Itali.
Gjatë një viti hetime ndërmjet Krimeve të Rënda dhe prokurorisë së Catanias u shkëmbyen letërporosi dhe materiale hetimore të cilat ishin dhe prova e nisjes së hetimeve në Shqipëri ndaj Tahirit pas publikimit të dosjes italiane në media.