Një grua s’arriti të bëhet nënë, një jetë e palindur që nuk frymoi kurrë. Një tjetër krim makabër e çnjerëzor ka tronditur mbarë shqiptarët.
Avokati nga Kosova, Besnik Berisha ka reaguar për vrasjen e 35-vjeçares, Hamide Magashi në ditët e fundit të shtatzanisë nga burri i saj, Sokol Halili në derën e maternitetit, mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë. Në llogarinë e tij në Facebook, Berisha ka thënë se kjo ditë do të shënojë dënimin e parë në Kosovë me burgim të përjetshëm. Për të ky dënim mund të mos ekzekutohet vetëm nëse dorasi i jep aktgjykimin vetes akoma pa u dënuar nga gjykata.
“Kjo që ndodhi në oborrin e SHSKUK , ku në rrethana akoma të panjohura ish bashkëshorti privoi nga jeta gruan shtatzënë dhe u zhduk akoma pa gjurme, do shënoi dënimin e parë në Kosovë me burgim të përjetshëm (të konfirmuar në secilën instancë). Ky dënim mund të mos ekzekutohet vetëm nëse dorasi i jep aktgjykimin vetes akoma pa u dënu nga gjykata. Kështu mendoj unë”, shkroi Berisha.
Mediat e Kosovës bëjnë me dije se çifti ishte martuar këtë vit, por pas problemeve të shumta mes njëri-tjetrit kishin shkuar drejt ndarjes. Sipas familjarëve të viktimës, kjo e fundit kishte gjashtë muaj që mbahej e mbyllur në shtëpi nga bashkëshorti, madje edhe policia ka qenë e njoftuar në lidhje me abuzimin.
.