Kristiano Ronaldo u transferua verën e shkuar te Juventusi duke lënë Real Madridin. Paraqitjet e tij me Juventusin kanë përmbushur pritshmëritë megjithëse nuk mundi të dhuronte Ligën e Kampionëve ashtu siç tifozeria bardhezi pretendon. Si në Spanjë, ashtu edhe në Itali është kthyer në një makineri golash duke realizuar në mënyrë të vazhdueshme me fanellën e bardhezinjve.
Ronaldo ka arritur të shënojë gola kundër 18 skuadrave të ndryshme në Serinë A italiane dhe vetëm 2 kanë shpëtuar nga ai. E para është Kievo Verona e cila duket se ka ditur ta markojë mirë sulmuesin portugez. Këtë sezon, Kievo luan në Serinë B por sezonin e shkuar ishte pjesë e Serisë A dhe në dy ndeshje, Ronaldo nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.
Skuadra tjetër e cila nuk ka pësuar nga Ronaldo, është Roma. Verdhekuqtë janë kundërshtarët e Juventusit pikërisht javën që vjen dhe Ronaldo paraqitet në këtë ndeshje me një formë fantastike. Pak ditë më parë, ai e nisi vitin me një tripletë të shënuar kundër Kaljarit dhe duke dhënë një sinjal se mosha për të është vetëm çështje numrash e asgjë më shumë.