Rithemelim të PD duke afruar të gjithë të larguarit, këtë shikon si zgjidhje ish-deputeti demolrat, Kreshnik Çollaku për situatën në të cilën ndodhet forca më e madhe opozitare. Në një intervistë për A2cnn, ai kërkon riformatim të të gjithë strukturave.
“PD duhet të jetë një parti që të dëgjojë më shumë shoqërinë, duhet ta shoh veten edhe me ata që nuk e votojnë dhe e kundërshtojnë, jo si një parti në konflikt me shoqërinë”, tha Çollaku.
E kur vjen puna te reformimi i Partisë Demokratike, Çollaku nuk mendon se ky proces duhet të prekë domosdoshmërisht lidershipin e Sali Berishës. Sipas tij, nëse duhet të bëjë një hap pas kryetari i PD, kjo i takon vetë atij: “Unë mendoj se të dyja qasjet janë jo realiste dhe jo të pjekura. Unë nuk e di se çdo të bëjë Berisha me nenin e statutit që e shkruajti vetë në një moment konflikti. Ai është një nen i thatë, që unë nuk e di si do ta zgjidhë. Unë mendoj se pesha e tij politike është më e madhe se një nen në statut. Unë mendoj se ai do ta zgjidhë vetë këtë ngërç”.
Pohon se mbështet edhe idenë e kolegut të tij Ferdinand Xhaferri për një “Foltore 2”, por shton se reformimi i PD nuk duhet të bëhet si një proces kundër Berishës: “Unë mendoj që çdokush, edhe Berisha, por çdokush që ka kontribuar në PD që nga 90, duhet të krijojmë një Kuvend një foltore të madhe, se çfarë bëmë mirë, çfarë bëmë keq dhe si do ta shpëtojmë. Duke dhënë secili kontributin e vetë”.
Në shtator nuk do të ketë një karrige në Kuvend, por u sugjeron edhe kolegëve të tij të mos pranojnë të ulen krah mazhorancës.
