Një raport i ri ndërkombëtar mbi ndikimin e krizës klimatike në shëndetin njerëzor paralajmëron se nxehtësia ekstreme e lidhur me ndryshimet klimatike tashmë po i merr jetën një personi çdo minutë në mbarë botën.
Sipas raportit, varësia nga karburantet fosile po ushqen një cikël vdekjeprurës, duke kontribuar në ndotjen e ajrit, përhapjen e sëmundjeve dhe zjarret masive në pyje, të cilat së bashku shkaktojnë miliona vdekje çdo vit.
Analiza thekson gjithashtu një kontrast të fortë ekonomik: vetëm gjatë vitit 2023, qeveritë në mbarë botën kanë dhënë rreth 2.5 miliardë dollarë në ditë subvencione për kompanitë e karburanteve fosile, ndërkohë që miliona qytetarë kanë humbur të ardhurat e tyre për shkak të temperaturave të larta, që penguan punën në sektorë si bujqësia dhe ndërtimi.
Megjithatë, reduktimi i djegies së qymyrit gjatë dekadës së fundit ka shpëtuar rreth 400 jetë në ditë, ndërsa prodhimi i energjisë së rinovueshme po rritet me shpejtësi. Ekspertët paralajmërojnë se një e ardhme e shëndetshme është e pamundur pa ndalimin e financimit të karburanteve fosile.
Raporti vë në dukje se numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë është rritur me 23% që nga vitet 1990, duke arritur mesatarisht 546 mijë vdekje në vit, rreth një vdekje çdo minutë. Dr. Marina Romanello nga University College London tha se miliona vdekje ndodhin çdo vit pa nevojë për shkak të vonesave në zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa liderë politikë dhe korporata po ulen pas angazhimeve për klimën.
Ekspertët theksojnë se çdo vdekje nga nxehtësia mund të parandalohet. Prof. Ollie Jay nga Universiteti i Sidneit nënvizoi se stresi nga nxehtësia mund të prekë çdo njeri dhe mund të jetë fatal, ndërsa Laura Clarke nga ClientEarth paralajmëroi se pasojat klimatike nuk janë më paralajmërime të largëta, por realitet i pranishëm.
Raporti i Lancet Countdown 2025, i udhëhequr nga UCL në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe 128 ekspertë nga mbi 70 institucione akademike dhe agjenci të OKB-së, thekson se gjatë katër viteve të fundit, çdo person është ekspozuar mesatarisht ndaj 19 ditëve në vit me nxehtësi kërcënuese për jetën, prej të cilave 16 ditë janë pasojë e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.
Në total, kjo ka shkaktuar në vitin 2024, 639 miliardë orë pune të humbura, duke sjellë humbje deri në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vendet më të varfra.
