Mbi 400 gra morën pjesë sot në festën e organizuar nga Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla me rastin e 8 Marsit. Pjesëmarrëset ishin kryesisht pjesë e stafit të Bashkisë Bulqizë dhe të ftuara nga të gjitha njësitë administrative.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Alla i vlerësoi gratë si gjysmën më të rëndësishme të popullsisë, të cilat luajnë një rol të madh jo vetëm në edukimin e brezave të rinj, por edhe në ruajtjen e vlerave të familjes.
Alla u shpreh se: “Sot, më shumë se kurrë unë jam krenar dhe me fat për të gjithë stafin që më rrethon, ku pjesa më e madhe janë gra të përkushtuara në maksimum dhe që i kryejnë detyrat e tyre me shumë profesionalizëm. Për këtë gjë, më lejoni të shpreh falenderimet e mia të sinqerta për të gjitha ju! Unë sot ndihem krenar që drejtoj një Bashki si kjo e jona, Bashkia e Bulqizës, brenda së cilës vijohet me fanatizëm ruajtja e vlerave të familjes, kjo falë përkushtimit të pakushtëzuar që ju tregoni. Edhe për këtë gjë, dua t’ju falenderoj të gjithave ju zonja, nëna dhe motra të Bulqizës që gjithmonë keni ditur të tregoni maturi ndaj çdo sfide!”