Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka këshilluar banorët të cilët janë larguar drejt një vendi të sigurt të qëndrojnë atje dhe mos të kthehen ende në kryeqytet.
“Ne nuk mund të garantojmë 100% siguri për të gjithë,” tha kryebashkiaku për BBC World.
Klitschko shtoi se qyteti po “rikthehej ngadalë në jetë” me kafenetë dhe baret që po rihapen, por paralajmëroi se Kievi mbetet “një objektiv për agresorët rusë”.
Ai llogariti se të paktën një milion nga popullsia e paraluftës së Kievit nuk ishte kthyer në qytet dhe theksoi se Kievi ishte “ende bosh”, me infrastrukturën e dëmtuar nga lufta dhe papunësinë në rritje.
Kujtojmë se forcat ruse janë larguar nga Kievi më datën 2 prill dhe kanë ripërqendruar sulmin e tyre në lindje të vendit, në atë që njihet si rajoni i Donbasit.