Tropoja jo vetëm nuk ka asnjë rast infektimi me Covid-19, por është ndër të parat bashki që ka ndërmarrë masat e dezinfektimit dhe gadishmërisë spitalore. Po ashtu nën regjim të fortë karantine janë vënë rreth 30 persona të cilët kohët e fundit kanë pasur udhëtim në Itali.
Kryebashkiaku i Tropojës Rexhë Byberi është vënë vetë në krye të punës për pastrimin rigoroz të qytetit dhe mjediseve publike. Po ashtu ai ka udhëhequr me stafin e tij teknik mbjelljen e qindra pemëve të reja, kryesisht pemë bliri në rrugën kryesore që të çon në qytetin e Bajram Currit duke zëvendësuar plepat e njohur të Dubravës të cilët jo vetëm ishin vjetëruar, por përbënin rrezik për kalimtarët.
“Sfidë ndaj virusit” e ka quajtur këtë ndërmarrje kryebashkiaku Byberi. “Pemët që mbjellin sot janë kursim i epidemive për brezat që vijnë” ky është motivi i këtij aksioni i cili ndonëse në masa të sigurta profilaktike ka ngjallur simpatinë e qytetarëve.