Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj ka falenderuar punonjësit e angazhuar për shuarjen e zjarreve gjatë 10 ditëve të fundit. Ai shprehet se ka patur një angazhim seioz nga të gjitha drejtoritë dhe sektorët e bashkisë për të shpëtuar këtë pasuri të madhe.
Malaj falenderon edhe forcat e ushtrisë që punuan e sakrifikuan për shuarjen e zjarreve në masivet me gështenja në Dukagjinit, Prellit e Derjanit.
Ndërkohë Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu theksoi se ka të dhëna se disa zjarre kanë qenë të qëllimshme.
“Fakti që në masivet me gështenja janë shkaktuar nëntë vatra zjarri për gjysëm ore tregon se ato kanë qenë të qëllimshme dhe se strukturat e specializuara duhet të zbulojnë dhe arrestojnë autorët. Dy persona janë ndaluar dhe po hetohen nga policia”, theksoi Shehu.
Postimi i Agron Malaj:
Prej 10 ditësh Bashkia #Mat po përballet me zjarre të mëdha, jo normale për stinën ku jemi.
Në Njësitë Administrative Macukull, Baz, Komsi, Lis, Ulëz, dhe së fundmi – Derjan dhe Rukaj janë shfaqur vatra zjarri duke dëmtuar sipërfaqe të tëra.
Në operacionin për shuarjen e këtyre zjarreve u angazhuan strukturat e Bashkisë #Mat, ndërmarrja e shërbimeve, sektori i rrugëve, sektori pastrimit, etj. Pa diskutim që peshën më të madhe e ka mbajtur Drejtoria e Mbrojtjes Civile, Shërbimi Zjarrfikës dhe drejtoria e Pyjeve dhe Bujqësisë.
Dua ti falenderoj nga zemra për punën dhe përkushtimin e tyre në shuarjen e vatrave të zjarrit.
Një falenderim të veçantë kam për detashmentin e FA #Burrel që bënë një punë të mrekullushme dhe sakrifikuese në fshatrat Rremull, Rukaj dhe Prell.