Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka folur nga Durrësi lidhur me protestën e cila zhvillohet ditën e sotme. Ajo tha se qytetarët janë ngritur kundër kryeministrit Rama i cili duhet të largohet sa është në kohë.
“Është paralajmërimi për Ramën. Akoma nuk ka filluar. Akoma nuk ka filluar mosbindja civile. Akoma Edi Rama nuk e ka parë revoltën e shqiptarëve. Ka vetëm 9 javë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur ndërkombëtarët. Rama nuk e ka kuptuar. Ndërkombëtarët e kanë kuptuar shumë mirë se çfarë ka ndodhur. Mjaftoni të shikoni televizionet shtetërore të të gjithë Europës, në SHBA të cilët përkrahin qytetarët shqiptarë të cilët janë ngritur në protestë kundër këtij kryeministri që ka vjedhur zgjedhjet dhe i ka blerë ato me paratë e krimit të organizuar. Kundër një Kryeministri që e ka kapur shtetin dhe që e ka kapur peng krimi i organizuar. Sot protestat në pesë pikat kryesore, janë protesta për ti thënë Edi Ramës që je akoma vonë. Mos vazhdo më që të provokosh shqiptarët, por tërhiqu dhe jepu shansin shqiptarëve të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme si çdo qytetar europian, ashtu si këta qytetarë po thërrasin sot”, tha Kryemadhi.