Në LSI se merr më askënd malli për Ilir Metën, ka thënë Monika Kryemadhi në emisionin “I ftuari” në A2, duke folur për marrëdhëniet e saj me bashkëshortin, presidentin Meta.
“Në fillim e kemi ndjerë mungesën e Ilir Metës në parti, pasi kishte persona që ishin aty pasi donin Ilir Metën, tani jo më. Unë nuk jam në politikë për t’i shërbyer Ilir Metës, as për t’i shërbyer LSI-së. Unë jam në politike për t’iu shërbyer atij grupi njerëzish që jo vetëm më voton mua, por garanton dhe sistemin. Por sot nuk ka teatër, sot shqiptarët nuk kanë bukë të hanë”, është shprehur ajo.
Kryetarja e LSI tha se me Ilir Metën ndan qëndrime të ndryshme dhe se i shmang diskutimet për LSI-në me të.
“Me Ilir Metën ndajmë qëndrime të ndryshme. Çfarë unë kam sot në politike i kam nga puna ime. Pavarësisht, si bashkëshort, Ilir Meta nuk më ka penguar asnjëherë. Po themi në aspektin që të dish ku të jesh mirënjohëse. Mund të ishte edhe një bashkëshort që nuk të lë të dalësh nga dera e shtëpisë dhe sot ka shumë të tillë. Më ka lejuar të jem kjo që jam. Por nga ana tjetër, pavarësisht qëndrimeve, ku ai mund të jetë radikal për gjëra të tjera dhe unë mund të jem tolerante për gjëra të tjera. Sa i përket sjelljes së LSI e kemi shumë të vështirë që të diskutojmë. Unë i shmangem debateve sepse… debatet tona mund të jenë shumë të egra dhe shumë të forta, sa i përket sjelljes time si LSI dhe sjelljes së dikurshme të Ilir Metës si kryetar i LSI. Kemi dy mentalitet të ndryshme. Ilir Meta kërkon të ketë stabilitet. Unë jam kundër stabilitetit të një individi”, ka thënë Monika Kryemadhi.
Sipas saj, Meta nuk do t’i digjte kurrë mandatet. Madje, ajo thekson se presidenti ishte jashtë vendit në atë kohë dhe nuk pati mundësi të ndikonte te deputetët e LSI-së.
“Nga ana tjetër, Ilir Meta ka qenë dhe do të jetë kundër djegies së mandateve, por kjo gjë shyqyr Zotit ndodhi dhe ai nuk ishte në Shqipëri dhe nuk pati mundësi të ndikonte te deputetët e LSI. Ky është edhe fakti që Edi Rama nuk e priste kurrë, duke e njohur mirë Ilir Metën që nuk do ta bënte këtë gjë”, vijoi ajo.
Kryemadhi shtoi më tej se me gjendjen aktuale të vendit duhet të destabilizohet politika dhe të stabilizohet ekonomia e vendit. “Jo stabilitetin e politikës, por ne duhet ta destabilizojmë politikën dhe të krijojmë stabilitet ekonomik për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre. Kjo do të thotë se secili nga ne duhet të lërë diçka nga vetja, pushteti, për të ndërtuar një strategji të qartë për të ardhmen e shqiptarëve. Ne kërkojmë të heqim liderin e fortë dhe të vendosim sistemin e fortë”, theksoi kryetarja e LSI-së.
