Monika Kryemadhi ka treguar këtë mbrëmje se çfarë ndodhi sot në Parlament kur deputetët e opozitës bënë dorëzimin zyrtarisht të mandateve.
E ftuar në “Open”, ajo ka treguar se ka qenë një procedurë zyrtare, por nuk u lejuan kamerat.
Kryemadhi ka pasur edhe një debat me një nga të ftuarit në panel, Spartak Ngjelën, ndërsa ky i fundit ka thënë publikisht se nuk u bë asnjë deklaratë personale, por se e gjitha u bë vetëm mediatike, dhe se nuk u dorëzuan në Kuvend.
Kryemadhi i është drejtuar duke i thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe informacionet e tij të ardhura nga brenda Kuvendit, janë gënjeshtra.
Sakaq Kryemadhi ka folur edhe për atë çfarë do të ndodhë në vazhdim, tashmë që janë jashtë sistemit politik, ku tha se do të vazhdojnë protestat dhe se “Edi Rama nuk ka parë asgjë akoma”.
Dorëzimi i mandateve në Kuvend
Kryemadhi: Ka qenë një ritual normal edhe pse nuk u lejuan kamerat, ku sekretarët përkatës kanë dorëzuar dorëheqjet individuale të deputetëve, për tu larguar njëherë e përgjithmonë nga një parlament që është i faktuar botërisht, ku ka individë të caktuar të lidhur me bandat dhe trafikun e votave. PD ka pasur grupin e saj, ne listën tonë.
Ngjela: Nuk kanë bërë deklarata personale, i kanë me vete
Kryemadhi: Më vjen keq se je njeri i ligjit…
Ngjela: Eee i ligjit, nuk i keni dorëzuar
Kryemadhi: Mos më ndërprerë mua dhe mos u trego i paedukatë. Janë të firmosur me emra dhe atësi. Opozita nuk ka për detyrë të të sqarojë as ty dhe as ndonjë tjetër që paguhet nga Rama. Ju kanë gënjyer. Deklaratën time e keni ne media, më 20 shkurt, ditën kur është rrëzuar busti, dhe ky është rrëzimi i dytë i bustit.
Rama sot u mor me ju personalisht, si i përgjigjeni
Mezi po pres vendimin e gjykatës kur thirren të gjithë ata që janë përfshirë në trafikimin e drogës dhe votës. Dua të shikoj në bankën e të akuzuarve kry bashkiakun e Durrësit. Unë i them ta mbledhë çik veten, nuk është noj qamet i madh. Jeta vazhdon edhe pas karriges së kryeministrit.
Sa i takon shitblerjes së votës, për çdo njeri të LSI që ata kanë fakte dhe të dhëna apo dhe indicie ti çojnë në gjyq dhe ti dënojnë. Prokurorinë e kanë, edhe gjykatat, tashmë që 17 deputetët e LSI i kanë të lirë, le ti zgjidhin këto gjëra.
Tani çfarë ndodh tani që doli jashtë sistemit?
Ne jemi qytetarë të lirë, ndihemi më shumë vetvetja sepse vendimin tonë e dhanë qytetarët, e dhanë më 16 shkurt. Kemi 1 vit që themi se ka nevojë për dialog dhe përfshirjen e opozitës në institucione. Sot nuk kemi republike parlamentare por kryeministrore.
Nuk keni parë gjë akoma, situata vazhdon…Rama nuk ka parë gjë akoma. Sot ai nuk e priste vendimin e opozitës, sot ndihem i lodhur dhe i vetëm, çdo ditë do bëhet më i dobët.