Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit, u pyet edhe për Aeroportin e Vlorës, i cili ka mbetur “peng” i konfliktit mes aksionerëve.
Sipas kryeministrit, puna ka vazhduar për aeroportin pavarësisht konfliktit mes aksionerëve në kompaninë që po e ndërton. Ai tha se fjala për ta hapur sa më shpejt aeroportin nuk u mbajt, ndërsa shtoi se shpreson që të respektohet kontrata.
“Për fat të keq ka pasur një konflikt brenda kompanisë, mes aksionerëve që kanë arsye dhe dinamikat e tyre. Por puna ka vazhduar dhe ne dëshirojmë shumë që të respektohet kontrata. Dëshiroja shumë që të respektohej fjala, sipas të cilës do të hapej këtë vit, por fjala nuk u mbajt. Tani të respektohet kontrata që është pranvera e vitit që vjen.”, theksoi ai.
Për Aeroportin e Gjirokastrës, Rama shtoi se “është përgatitur procesi dhe besoj shumë shpejt do të hapet gara”.
