Kryeministri italian, Mario Draghi, ka lajmëruar se po planifikon një vizitë në Kiev sa më shpejt të jetë e mundur, për një takim kokë më kokë me Presidentin Zelensky. Konfirmimi i lajmit vjen nga “Palazzo Chigi” i cili nënvizon se kryeministri, aktualisht i izoluar në shtëpinë e tij në Citta della Pieve, në Umbria, për shkak të Covid, po shqyrton mundësinë e një udhëtimi institucional në Ukrainë. Vizita mund të bëhet në javët e ardhshme, ndoshta në gjysmën e parë të majit.
Ndërkohë, qeveria italiane, do t’i dërgojë Kievit një ndihmë prej 200 milionësh euro të tjera, krahas 110 milionëve të akorduara tashmë. Gjithashtu kryeministri po shqyrton mundësinë e përgatitjes së një dekreti për furnizimin e Ukrainës me armë të rënda, shkruan Rai News.
Por, ambasadori rus në Itali, Sergey Razov, e ka kritikuar këtë ide duke thënë: Të dorëzosh armë në Kiev për mua është një logjikë e çuditshme. Kjo vetëm do të përkeqësojë marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Italisë.