Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi priti në një takim në Kryesinë e Kuvendit, ambasadorin e Ukrainës, Volodymyr Shkurov. Peleshi theksoi se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një aleate e qëndrueshme e Ukrainës, në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe vlerave demokratike që ndajmë.
Për kryetarin e Kuvendit, mbështetja për Ukrainën është mbështetje për paqen, stabilitetin dhe rendin ndërkombëtar që garanton sigurinë e të gjithëve. Gjatë këtij takimi, ambasadori Shkurov gjeti rastin t’i komunikojë edhe personalisht Peleshit, vlerësimin e Presidentit Volodymyr Zelensky të vitit 2023, me Urdhrin e Princ Jarosllavit të Urtë.
Vlerësimi mban motivacionin “Për kontributin në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve tona dhe mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj heroike për liri”, gjatë kohës kur Peleshi ushtronte detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Nga ana e tij, Peleshi u shpreh thellësisht mirënjohës për këtë vlerësim.


